Kurti shpall fitoren e VV-së

Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje shpalli sonte fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare 2019.

Kurti tha se qysh nesër do të nis të diskutojë me LDK-në për të parë mundësinë për krijimin e koalicionit qeveritar.

“Qysh nesër do të vendosi kontaktet me LDK-në, me subjektin që kemi qenë bashkë në opozitë, e si të tilla në opozitë, të kurorëzojmë ndryshimin”, tha Kurti para selisë së partisë.

“E shpall fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet parlamentare 2019. Kemi punuar shumë, jemi angazhuar gjatë, për popullin tonë sakrificat dhe vetëmohimi janë detyrat tona. Kësisoj do të ndodh edhe me qeverinë, që shumë gjëra u quan dëm,” tha Kurti.

“Prej  nesër në përgatitje për formimin e qeverisë së Kosovës dhe të qitet shteti në binarë,” tha Kurti.

Ai në fund falënderoi aktivistët e lëvizjes nga qendrat në diasporë ‘që kanë punuar dhe kanë udhëtuar për të kurorëzuar fitoren’.

Mërgatës ti mundësohet votimi nëpër ambasada dhe konsullata, tha Kurti.