Deri në ora 17:00, kanë votuar rreth 38 për qind

Demokracia në Veprim në një konferencë për shtyp theksuan se deri në ora 17:00 kanë votuar rreth 38 për qind e qytetarëve.

Pak para përfundimit të votimit, DnV ka mbajtur një konferencë për shtyp duke bërë të ditur numrin e qytetarëve që kanë votuar deri në ora 17:00.

“Është një përqindje që ka ngritje në krahasim me zgjedhjet 2017. Nga ora 17:00 e deri në ora 19:00, do të ketë edhe një numër të caktuar. I bëjmë thirrje KQZ-së që t’i mundësojë të gjithë qytetarëve që gjenden në qendrat e votimit, t’u mundësohet secilit qytetarë që të votojë,” tha Ismet Kryeziu nga DnV.

Ai shtoi se një ndër problemet e theksuar është mos gjetja e emrave të qytetarëve nëpër vendvotime.

“Në 2,480 vendvotime qytetarët nuk kanë arritur të gjejnë vendvotimin. Po ashtu, është një numër i madh i asistencës së qytetarëve, 23,500 asistime, të shënuara në librat e votimit. Kryesisht të moshuar që kanë pasur nevojë për një përcjellje,” tha Kryeziu.

Kanë mbetur edhe pak minuta deri në mbyllje të qendrave të votimit ndërsa qytetarët që gjenden brenda do të kenë mundësinë që të votojnë.