Sekuestrohen barnat pa banderola në Prizren

Policia e Kosovës së bashku me inspektoratin farmaceutik kanë realizuar bastisjet në nëntë barnatoret e Prizrenit.

Policia e Kosovës njofton se njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me inspektoratin farmaceutik dhe zyrtarët e doganës, ka realizuar urdhër kontroll në nëntë barnatore në rajonin e Prizrenit.

Aksionet janë kryer mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm për veprën penale: “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Gjatë kontrollit bëhet e ditur se janë gjetur dhe sekuestruar rreth 130 njësi barna pa banderola. Nuk raportohet për të arrestuar.

Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.