Richard Grenell, i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti vendimin e presidentit amerikan, duke thënë se do të bashkëpunojë me Grenellin për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan, raporton REL.

Ky vendim, megjithatë, shihet si befasues, pasi administrata amerikane, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili mendohej se, mes tjerash, do të merrej edhe me dialogun.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pritet të emërohet pas 7 tetorit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Serbia fillimisht duhet ta njohë Kosovën.

Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimit evropian.