Kanë arritur mbi 8 mijë fletëvotime nga diaspora

​Deri më datën 3 tetor në Prishtinë kanë arritur 8 mijë e 133 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tha se votuesit jashtë vendit përmes postës kanë kohë që deri më datën 5 shtator të votojnë për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, procedurë kjo e cila ka filluar më 19 shtator.

Elezi ka thënë se numërimi i fletëvotimeve të supozuara që kanë ardhur përmes postës do të bëhet pas ditës së zgjedhjeve, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ku do të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

“Numërimi i votave përmes postës bëhet në qendrën e numërimit dhe të rezultateve pas ditës së zgjedhjeve dhe pasi të zhvillohen të gjitha ato procedura ligjore të cilat janë të parapara sa i përket çështjes së votave përmes postës. Gjithashtu dihet që në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve përveç votave me postë pas ditës së zgjedhjeve do të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta të cilat hidhen në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se në këtë qendër janë duke u bërë edhe përgatitjet e fundit dhe gjithçka të jetë gati për numërim të votave që do hedhen më 6 tetor për të parin e ekzekutivit të vendi.

“Qendra e numërimit dhe rezultateve përgatitjet përfundimtare janë duke u bërë dhe me kohë kjo qendër do të mund të pres të gjithë fillimisht materialin zgjedhor nga të gjitha qendra e votimit anë e këndë Kosovës, fillimisht për të pranuar dhe më pastaj për të vazhduar me procedura tjera siç dihet janë procedurat që parashihen deri tek shpallja e rezultateve përfundimtare”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së.

Sipas tij, në mungesë të hapësirës brenda objektit të Komisionit Qendror Zgjedhor pakot e supozuara me fletëvotime që kanë arritur nga diaspora janë duke u ruajtur brenda një hapësire të veçantë në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës.

Kujtojmë se nga 40 mijë e 313 aplikacione për të votuar përmes postës që janë pranuar dhe proceduar në KQZ, janë aprovuar 35 mijë e 87 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit garojnë 25 subjekte politike përfshirë edhe koalicione parazgjedhore, derisa numri i qytetarëve me të drejtë vote janë 1.937. 869.