Çiftet e reja flasin për sfidat e tyre

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, Super Babai organizon një debat të hapur në Prishtinë me 10 tetor 2019, në veçanti për çiftet e reja që kalojnë nëpër fazat delikate të krijimit të familjeve.

Super Babai, një grup baballarësh të organizuar për shumë çështje, kësaj radhe fton qytetarët që të diskutojnë për shëndetin mendor prej orës 12:00, pranë Bibliotekës Kombëtare.

“Është krejt në rregull nëse don me fol për shëndetin mendor, duke e pas parasysh sa e rëndësishme dhe delikate është kjo çështje,” thonë në postim.

Organizatorët do të shpërndajnë broshura informuese e promocionale që kryesisht flasin për ndërgjegjësim si mjeti i parë për parandalim kur i kuptojmë shenjat e para të problemeve të shëndetit mendor .

Grupi mëton të flas edhe për mitet popullore dhe rëndësia e vizitave te psikologu dhe informimi i hershëm rreth tejkalimit të krizave mentale dhe parandalimi i tyre.

Në pjesën e dytë të ditës, organizohet një panel diskutimi me burra dhe gra, dhe do të diskutohet në veçanti për tranzicionin që kalojnë çiftet e reja. Ky diskutim mbahet në Orion Conference Center, përballë kinemasë ABC tek Sheshi “Nënë Tereza”, nga ora 17:00.

Panelistë të ftuar do të jenë një psikologe dhe një nënë e cila ka kaluar fazën e tranzicionit dhe përveç ndryshimeve fizike ka përjetuar edhe ndryshime psikologjike.

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor do të realizohet në kuadër të projektit “Përfshirja e Burrave dhe Grave në Barazi Gjinore” i cili zbatohet nga PEN- Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë dhe mbështetet nga UNFPA zyra në Kosovë.