Vdes hoxha i Mitrovicës që i ruajti eshtrat e Isa Boletinit

Ka ndërruar jetë njëri nga hoxhallarët më të njohur të Mitrovicës, Mulla Asllan Murati.

Hoxha Asllan Murati njihet ndër hoxhallarët më të njohur në Kosovë, përveç tjerash ai njihej edhe si veprimtar i çështjes kombëtare.

Njëra ndër veprat më të mëdha të hoxhës mitrovicas, që do të mbahet mend, është se ai kishte arritur me vite të tëra ti fshehte eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini nga pushtuesi serb.

Komuna e Mitrovcws ka lëshuar  njw telegram ngushëllimi. “Me kontributin e tij të dhënë ai do të mbetet hoxhë emblemë i qytetit tonë, i cili me punën e tij arriti të tregoi më së miri se çfarë është një shqiptar i mirë dhe një besimtar i mirë, që përçon dritë në mënyrë të drejtë. Zoti e mëshiroftë dhe me xhenet e nderoftë imamin e nderuar, Mulla Asllan Murati. Ngushëllime gjithë imamëve dhe kolegëve të imam Muratit në Mitrovicë dhe në gjithë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, varrimi bëhet nesër me xhuma dhe funerali niset nga Xhamia Qëndrore në Mitrovicë.

Asllan Murati u lind më 12 shkurt 1943 në fshatin Zhabar i Poshtëm, komuna e Mitrovicës. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, kombëtare e fetare e arsimdashëse. Shkollën fillore e përfundoi në Zhabar.

Në vitin 1966, u regjistrua në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, të cilën e kreu me sukses, duke vijuar pastaj mësimet me korrespodencë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitin 1969 emërohet imam dhe ligjërues në Xhaminë Qendrore (Xhamia e Zallit) në Mitrovicë.