Përkujtohen protestat studentore të vitit 1997 (video)

Foto: ORCA facebook

Në Prishtinë është mbajtur të martën një marsh në kujtim të protestës studentore të vitit 1997.

Marshin e organizuan Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe organizata Admovere në përkujtim të protestës së 1 tetorit 1997.

Marshi u realizua në nderim të të gjitha familjeve që mundësuan arsimin në shtëpitë e tyre private në kohën kur mësimi shqip ndalohej nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, 22 vite më parë. Marshi filloi nga ish-ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, deri të Kampusi i sotëm i UP-së.

Lëvizja Studentore organizoi protestë e atëhershme për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia, duke kërkuar kthimin e studentëve në objektet universitare prej ku ishin dëbuar.

Marshuesit u mblodhën sot para shtëpisë së familjes Shoshi, në rrugën që sot mban emrin 1 tetori, duke thënë se po përfundojnë marshin që studentët e atëhershëm nuk u lejuan ta qojnë deri në fund.

“Para 22 vjetëve ata e kanë ndalë, ne sot po e vazhdojmë marshin po shkojmë deri të Kampusi i Universitetit të Prishtinës”, tha Rron Gjinovci nga ORCA.

Atë kohë regjimi i Sllobodan Millosheviqit kishte vendosur masa të dhunshme ndaj shqiptarëve dhe kishte dëbuar studentë e profesorë nga universiteti, duke imponuar plan-program serb për mësim.

Protesta paqësore e studentëve më 1 tetor të vitit 1997, e prirë nga rektori tashmë i ndjerë, Ejup Statovci, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, ishte shpërndarë me dhunë.

Ngjarja konsiderohet prej më të rëndësishme të Lëvizjes Studentore dhe e njëjta ndikoi në faktorizimin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.