Hapet Shtëpia Kulturore Shqiptare në Karllovc të Kroacisë

Unioni Shqiptar në Kroaci hap Shtëpinë Kulturore Shqiptare në Karllovc, qytet në Kroacinë qendrore.

Shtëpia Kulturore Shqiptare do të hapet më 5 tetor, më fillim prej orës 12:00, në rrugën, Gornja Gaza 16, Karllovc.

Kryetari i Unionit, Esad Çollaku tha se hapja e një shtëpie të tillë është një arritje e madhe e komunitetit shqiptar në prefekturën e Karllovcit.

Ai në statusin e tij në Facebook tha se kjo është arritur përmes ndihmës së mjeteve financiare të siguruara nga ana deputetes në parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj dhe Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.

“Natyrisht se edhe kontributi i Bashkësisë Shqiptare të Prefekturës së Karllovcit si dhe bashkatdhetarëve nga Karllovci nuk ka munguar, si dhe autoriteteve të institucioneve të qytetit të Karllovcit. Falënderojmë të gjithë nga zemra,” shkruan Çollaku.

Ai fton të gjithë që të marrin pjesë në hapjen solemne “të kësaj shtëpie me vlerë shumë të madhe për pakicën tonë kombëtare në Republikën e Kroacisë”.