Nesër marsh i studentëve për nder të protestave të tetorit 1997

Arkiva

Dy organizata shënojnë nesër një marsh për nder të 22 vjetorit të protestave studentore të 1 tetorit të vitit 1997, duke filluar nga ish- ndërtesa e rektoratit të Universitetit të Prishtinës në Velani.

Ky marsh organizohet si simbol i protestave të studentëve në vitin 1997 për zhvillimin arsimor,pikërisht në të njëjtën ditë të cilën studentët e Kosovës fillojnë vitin e ri akademik.

‘’ORCA dhe Admovere ju ftojnë që të martën, 1 tetor 2019, nga ora 12:00, të mblidhemi para shtëpisë ku në vitet ‘90 ishte rektorati i Universitetit të Prishtinës, për ta nderuar familjen Shoshi dhe të gjitha familjet që mundësuan arsimin gjatë atyre viteve kur ai ishte ndaluar për shqiptarët nga regjimi i Millosheviqit. Pastaj, do të vazhdojmë rrugëtimin e studentëve, që atëkohë u ndërpre nga dhuna brutale e policisë serbe, për të mbërritur te kampusi i sotëm i Universitetit të Prishtinës.’’ thuhet në komunikatën e organizatës ORCA.

ORCA bëri thirrje që të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e transportit të organizuar  mund të kontaktojnë me organizatën.