Rreth 1,500 të burgosur votojnë më 6 tetor

Foto RFE

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lajmëruar se rreth 1 mijë e 500 të burgosur janë në regjistrat e tyre që do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Florent Gashi, zëdhënës i shërbimit tha se votimi do të mbahet nëpër burgjet e vendit dhe këta të burgosur duhen të regjistrohen deri më 1 tetor, 2019. Nga ky numër, vetëm 34 janë gra.

“Aktualisht, në qendrat korrektuese, qendrat e paraburgimit dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë, numri i të burgosurve, të cilët kanë drejte vote në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 1548.  Numri mund të ndryshojë. Nga rreth 1548 persona, 34 prej tyre janë gra”, tha Gashi, raporton gazeta Express.

Atë ditë, ekipet mobile të KQZ-së do të shkojnë nëpër burgje së bashku me materialin zgjedhor nëpër hapësirat korrektuese të cilat i siguron SHKK.

“Të gjithë të burgosurit me drejtë vote do të përcillen një nga një në qendrën e votimit brenda institucionit, ku secili i burgosur do të shfrytëzojë të drejtën e tij të votimit”, shtoi Gashi.

Më herët, KQZ ka publikuar listën përfundimtare të votuesve 2019 dhe përmban 1,937,869 emra të votuesve. Në krahasim me zgjedhjet lokale të datës 22 tetor 2017, janë  111,733 votues më shumë.