Përgjysmë e më pak vëzhgues në zgjedhjet parlamentare 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka bërë akreditimin shtesë të vëzhguesve që do të angazhohen më 6 tetor, ditën e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) akreditoi edhe 9 mijë e 50 vëzhgues të tjerë duke arritur kështu numrin e vëzhguesve të akredituar në 12 mijë  872.

Pjesën më të madhe të vëzhguesve e kanë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje në rreth 10 mijë prej tyre. Vëzhguesit tjerë vijnë nga OJQ-të vendore – 2,722, 47 vëzhgues janë nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat, ndërsa 129 media janë akredituar si vëzhgues.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja ishte rreth 30 mijë. Kosova organizon zgjedhje të parakohshme parlamentare që nga viti 2010. Ky është legjislacioni i katërt me radhë që nuk arrin të përfundojë mandatin e plotë katër vjeçar, si pasojë e prishjes së koalicioneve qeverisëse.