“E thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”

Si asnjëherë më parë ambasadat më të fuqishme në vend njëzëri reaguan kundër emërimit të Naser Shalës drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kjo erdhi pas emërimit të Naserit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e 28 shkurtit kanë zgjedhur në pozitë të re. Zakonisht ambasadat reagojnë vetëm kur emërimi i ndonjë personi cenon shumë pozitën në të cilën është emëruar si dhe që është në kundërshtim me vlerat demokratike. Fuqishëm kanë reaguar ambasadori i Amerikës, Britanisë dhe Gjermanisë. Ata janë deklaruar kundër emërimit pa meritë të Shalës siç e kanë cilësuar ata.

Në reagimin e saj Oda Ekonomike Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërimin e udhëheqësisë së re të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në kundërshtim me rekomandimin i cili ka pasuar një proces transparent dhe meritokratik të rekrutimit. Pas kësaj reagim të fuqishëm kishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Heldt përmes Tëitter-it ka thënë se Kosova duhet të zgjedhë meritorët dhe jo personat që kanë lidhje politike. “E mrekullueshme! Pra, nëse kualifikimi nuk ka rëndësi, si do të shkojë ky vend përpara? Ne kemi nevojë për ata me kokat më të mira, jo ato me rrjetin më të mirë. Na vjen keq, por kjo gjithashtu tregon edhe paratë e taksapaguesve në fjalë”, ka shkruar Heldt.

Emërimi i komandant “Ftyrës” solli reagime të shumta, përfshirë edhe dorëheqjen e ambasadorit britanik nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Duhet kujtuar se Qeveria e Kosovës ka pasur një memorandum mirëkuptimi me Ambasadën Britanike në Kosovë. Kjo e fundit ka pasur rol monitorues dhe vlerësues në këtë proces.

Të gjitha këto reagime të fuqishme nga ndërkombëtarët nuk ishte i kotë, erdhi si pasojë e së kaluarës së z. Shala, i cili njihet si “forti” në mesin e politikanëve. Gjithashtu, Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. Ndonëse u shpallën të pafajshëm nga një drejtësi e kapur nga politikanë, për ndërkombëtarët s`mund të jetë i tillë pasi drejtësia këtu nuk ka guxim të dënoj personin në fjalë. Për më tepër emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.Në aferën “ Pronto” dëgjohet teksa në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar.

“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.

“A t’ngoj bile”, e pyet Shala.

“Ngoji, meniherë, meniherë u tërhoq, derisa t’përmena ty”, thoshte Grabovci.

Në një rast Adem Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”. Pra “ Ftyra” përdorej nga njerëz të fuqishëm të PDK-së për të rehatur këdo që nuk bindej urdhrave të tyre, që kishin qëllim të emeronin njerëz të tre nëpër institucione kryesore të vendit. Derisa njerëz si z.Shala dhe prototipa si ai emërohen në pozita të rëndësishme, pa asnjë meritë profesionale, nuk mund të shpresohet për shtet të dinjitetshëm, për çka ndërkombëtarët mëtojnë të shohin në Kosovë. Në këtë rast, emërimi i z.Shala nuk jep shpresë së kjo klasë politike në pushtet mund të garantoj drejtësi në rast të punësimit. Kjo është skandaloze dhe humb shpresat qytetarëve të ndershëm, si dhe demotivon profesionistët që njohurinë e kanë të vetmen pa qenë të lidhur me politikën.