Pajaziti: PDK e gatshme për zgjedhje

Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se partia ku është ai është e gatshme për zgjedhje, por ka shfaqur shpresën se situata aktuale politike që ndërlidhet me dialogun do të marrë epilogun e merituar.

Ai ka thënë se PDK-ja është duke u angazhuar për t’i dhënë epilog të suksesshëm kësaj situate, dhe për këtë ka ftuar të bëhen bashkë të gjitha partite politike që Kosova të jetë më e fortë në bisedimet me Serbinë.

Duke komentuar deklarëtën e udhëheqësit të LDK-së se ata janë të gatshmë të bisedojnë me PDK-në për rrëzimin e qeverisë, Pajaziti tha se kjo parti çdo herë është e gatshme për zgjedhje, por sipas tij situata aktuale duhet zgjidhet ndryshe, duke u bërë bashkë.

Sa i përket taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnë e Hercegovinës deputeti i PDK-së ka thënë se ka besimin që kryeministri Haradinaj do ta gjejë zgjidhjen duke mos i dëmtuar raportet me SHBA-të dhe BE-në. Ai deklaroi se kryeministri Haradinaj e ka hendikep demarkacionin me Malin e Zi, por theksoi se kryeministri do të gjejë zgjidhjen e duhur.

Pajaziti ka thënë se Kosova nuk duhet të marrë rolin refuzues në dialogf dhe të humbë, diçka që sipas tij i ka ndodhur vazhdimisht Serbisë.

“Serbia ka qenë në një pozicion refuzues të bisedimeve dhe gjithmonë ka dalë humbës. Ne nuk duhet ta marrim atë rol. Serbia pretendon që është dëmtuar dhe se heqja e taksës është kërkesë e saj. Ne duhet të marrim qëndrim jo në përputhje me kërkesat e Beogradit po në përputhje me kërkesat e partnerëve tanë. Ne nuk guxojmë të anashkalojmë partnerët. Besoj që zoti Haradinaj është plotësisht i vetëdijshëm dhe do ta menaxhojë këtë situatë”, ka thënë Pajaziti për RTK-në.