Zyrtari amerikan jep lajmin e fundit për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur edhe një herë kërkesën e tyre që Qeveria e Kosovës ta suspendojë ose ta heqë përkohësisht tarifën e vendosur ndaj mallrave serbe dhe boshnjake në mënyrë që të rinisë procesi i bisedimeve me Serbinë. Gazeta Express të hënën ka biseduar me një zyrtar të qeverisë amerikane i cili ka sqaruar edhe çështje tjera aktuale si atë se a kërcënuan amerikanët me largim të ushtarëve nga kampi Bondsteel për shkak se Qeveria po refuzon ta heqë taksën, për investimin e administratës së Trumpit në bisedime, për atë se cilat janë vijat e kuqe të Amerikës në negociata, brenda çfarë afati duhet të arrihet marrëveshja, për kërkesën që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe mundësinë që e gjithë kjo situatë ta çojë vendin në zgjedhje.

Amerikanët janë duke zhvilluar një aktivitet të dendur diplomatik në përpjekje për ta bindur Kosovën që të hapë rrugë për të rifilluar bisedimet me palën serbe. Të hënën, nga Shkupi një diplomat amerikan, Philip Reeker, i cili së shpejti do të marrë postin e ndihmësekrearit të shtetit për Europë dhe Eurazi ka bërë thirrje që Kosova ta heq menjëherë tarifën dhe të ulet të bisedoj pa kushte. Këtë qëndrim e kishin bërë të qartë edhe dy zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë të cilët takuan autoritetet kosovare javën që shkoi.

Nga Amerika së shpejti pritet të vijë edhe një vizitor i nivelit të lartë, Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale i cili do t’i përforcojë këto mesazhe.

Të hënën Gazeta Express ka biseduar me një zyrtar të qeverisë amerikane i cili duke komentuar refuzimin e Kryeministrit Haradinaj ka kërkuar që tarifa të hiqet përkohësisht në mënyrë që të fillojnë bisedimet. Ai po ashtu ka kërkuar edhe nga Serbia hapa konstruktivë për këtë proces. I pyetur nëse ka ndonjë afat të prerë se kur duhet të merret ky vendim nga Qeveria e Kosovës, zyrtari amerikan ka thënë se nuk ka një të tillë.

“S’ka afat, sa më parë që suspendohet tarifa dhe të fillojë dialogu aq më mirë” ka thënë ai.

Pas vizitës së dy zyrtarëve të lartë amerikan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Earth dhe Brad Berkley, në Prishtinë, në media u raportua gjerësisht se “njerëzit e Trump” kanë kërcënuar Kosovën se nëse nuk hiqet taksa Amerika mund t’i tërheq ushtarët nga Kosova.

“Ata nuk kërcënuar se do të largohemi” thotë zyrtari amerikan derisa potencon se politikat e SHBA’së nuk do të ndryshojnë.

Sido që të jetë ai pohon se largimi i trupave nga Siria është përmendur në takimet e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë në kontekst të ndryshimit të dinamikave në politikën botërore.

I pyetur nëse bllokada aktuale politike në Kosovë rreth tarifës dhe dialogun me Serbinë mund ta cojë vendin në zgjedhje, zyrtari amerikan thotë se kjo u takon politikanëve dhe qyteravëe që të vendosin.

“Nuk dua të them asgjë për zgjedhjet, u takon politikanëve dhe qytetarëve të vendosin” thotë ai.

Zyrtari amerikan thotë se SHBA’të janë të vendosura për ta cuar më tutje dialogun me Serbinë madje duke e përmendur edhe një afat për marrëveshjen me Serbinë. Ai thotë se ky afat është 31 dhjetori i këtij viti.

Bashkëbiseduesi i Gazetës thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë vijë të kuqe për atë se cfarë do të bisedojnë palët. Madje, sipas tij, nuk do të ketë kufizime as për cështjen e territorit.

“ Pozicioni ynë është se nuk ka vija të kuqe. Ne nuk themi se nuk duhet të diskutohet cështja e shkëmbimit të territoreve. Disa qeveri evropiane e thonë këtë” thotë ai.

Me këtë fjali zyrtari i qeverisë amerikane lë të kuptohet edhe për dallimet që i ka SHBA dhe disa shtetet pjesë e QUINT’it rreth dialogut. Por, ai thotë se të gjithë pajtohen që dialogu duhet të vazhdojë.

Derisa siguron se SHBA janë fuqishëm të involvuar në proces, ky zyrtar përmend disa herë letrën e Presidentit Trump.

Sipas tij, SHBA’të në këtë fazë nuk mbështesin ndonjë konferencë ndërkombëtare por bisedimet e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Ai po ashtu përjashton mundësinë që nënshkrimi të ndodhë brenda Shtëpisë së Bardhë, por rithekson se Trump i ka ftuar Thacin e Vuçiqin atjë për ta festuar fitoren.

Ndërkohë rreth akuzave në skenën politike se agjendën e bisedimeve po e shtyn Presidenti Hashim Thaci, zyrtari amerikan nuk ka folur shumë rreth kësaj. Komenti i tij vetëm për këtë ishte “ Për këtë pyeteni z.Thaci”. Ai ka insistuar se SHBA’të ia kanë bërë me dije Vuçiqit se e kërkojnë njohjen e Kosovës nga ky proces ndërkohë që refuzon të flasë se cilat janë kompromiset që duhet t’i bëjë Kosova për këtë.

Zyrtari amerikan disa herë ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së Rusisë duke thënë se kjo nuk do t’i sillte ndonë të mirë procesit të bisedimeve.

Duke iu referuar kundërshtimeve të Haradinajt, zyrtari amerikan është kujdesur disa herë të theksoj se “është gabim të mendohet se vazhdimi i bisedimeve con në shkëmbim të territoreve”. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që Thaci e Vuciq tashmë të kenë arritur ndonjë marrëveshje ndërkohë që ka komentuar “planin 22 pikësh” që ka qarkulluar ditë më parë në media duke thënë se ka parë shumë letra të tilla. Ky zyrtar ka thënë se SHBA i merr seriozisht paralajmërimet për destabilizim të rajonit që mund ta nxis ndryshimi i kufijve.

Por cka nëse ndodhë një skenar i tillë që do të mund të përfshinte trazira për shkak të kundërshtimi për cështjen e kufijve të shumica e partive politike dhe për faktin se ndonjë pjesë e popullatës do të mund të mbetej jashtë kufijve, zyrtari amerikan thotë se “ ne do të jemi këtu jemi pjesë e KFOR’it që është këtu” për të siguruar stabilitetin.