A duhet të pezullohet taksa ndaj Serbisë? Ymeri sqaron qëndrimin e PSD’së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij karshi taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave nga Serbia.
Ymeri ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se PSD’ja e ka përkrahur taksën, që kur është vendosur ajo.

“Si parti e kemi përkrahur taksën, sepse e kemi vlerësuar si mekanizëm jashtëzakonisht të dobishëm politik, dhe të rëndësishëm në aspektin e fuqizimit të pozitës së Republikës së Kosovës, në tavolinën e dialogut me Serbinë”, është shprehur ai.

Ymeri ka vlerësuar se taksa ndaj Serbisë deri më tani ka rezultuar “e efektshme”.

I pyetur nëse kjo taksë duhet të pezullohet, siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i hapur rrugë rifillimit të dialogut me Serbinë, Ymeri ka thënë se partia e tij është e mendimit që taksa të mos pezullohet, pa garancinë se në fund të dialogut Serbia do ta njohë Kosovën si shtet.

Ai ka thënë se kjo garanci duhet t’i sigurohet Kosovës nga SHBA’ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, që po bëjnë thirrje që taksa ndaj Serbisë të hiqet. /Express/