Halil Matoshi zbulon se kush bëri kërkesë për t’i dhënë para nga rezervat e shtetit dhëndrit të Nait Hasanit

Luan Kryeziu brenda dy muajsh arriti të marrë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rreth 200 mijë euro, duke llogaritur këtu edhe 18 mijë euro që RTK, i dha dhëndrit të deputetit për ta shfaqur filmin ‘Heroi’, film ky i cili premierën e ka pasur në vitin 2014-të.

Halil Matoshi zbulon se kush bëri kërkesë për t’i dhënë para nga rezervat e shtetit dhëndrit të Nait Hasanit

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ka treguar sot se kush e ka propozuar kërkesën për subvencionimin në vlerë prej 180 mijë eurove të filmit të dhëndrit të Nait Hasanit nga Qeveria e Kosovës.

Matoshi, në një bisedë të shkurtër për Gazetën Insajderi, ka treguar se ishte vet ministri Kujtim Gashi, ai që e ka bërë këtë propozim. Madje, Matoshi tregon për Insajderin se edhe ai ishte prezent atëherë kur ministri e ka dërguar këtë kërkesë.

“Realisht, kërkesa ka ardhë nga Ministria e Kulturës, unë kam qenë në mbledhje ku Ministria e Kulturës e ka propozuar këtë, më konkretisht ministri Gashi. Dhe kjo ka ardhë direkt nga ata”, ka thënë për Insajderin këshilltari i kryeministrit duke vazhduar të thotë se ata duhet ta dinë këtë sepse janë pjesë e qeverisë dhe duhet të flasin.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një deklaratë të mëhershme për Insajderin, u patën distancuar nga kjo kërkesë, duke thënë se nuk janë në dijeni për të, pasi që, ministri Gashi nuk ishte prezent as në mbledhjen e 12 shkurtit të Qeverisë së Kosovës, edhe pse në mbledhje ishte zëvendësministrja e kulturës Leonora Morina-Bunjaku.

180 mijë euro janë marrë nga rezervat shtetërore për këtë film, dhe me këtë rast Qeveria e Kosovës ka shkelë dy ligje, Ligjin për Kinematografi dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. I pyetur nga Insajderi në lidhje me shkeljen e ligjeve, Halil Matoshi ka thënë se nuk është jurist dhe nuk mund të jap përgjigje.

“Un nuk jam jurist kështu që për këtë pyetni juristët”, ka thënë ai. Ndërsa sot, Insajderi foli edhe me zëvendësministren Morina-Bunjaku, duke tentuar ta dijë se si i ka rënë në dorë ajo kërkesë asaj. Mirëpo zëvendësministrja, Leonora Morina-Bunjaku, nuk pranoi të flas për këtë skandal.

Rikujtojmë se “Lojë jete”, është projekt i cili thuhet se do të jetë koproduksion në mes Kosovës dhe SHBA-së. Ky projekt pati dështuar keq në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, ku shtatë anëtarë, njohës të mirë të filmit nuk e patën vlerësuar këtë skenarë të denjë për subvencionim. Projekti vjen nga dhëndri i Nait Hasanit, i cili vitin e kaluar pati bërë bujë në medie për deklaratën e tij se kinse ka refuzuar aktorin e njohur serb Rade Serbedzija, për ta jetësuar personazhin e Adem Jasharit në filmin që sipas Kryeziut do e bënte për të.

Luan Kryeziu brenda dy muajsh arriti të marrë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rreth 200 mijë euro, duke llogaritur këtu edhe 18 mijë euro që RTK, i dha dhëndrit të deputetit për ta shfaqur filmin ‘Heroi’, film ky i cili premierën e ka pasur në vitin 2014-të./