Tregon ish agjenti i SHIK-ut, ja si bëhet emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër pozita

Sipas Naim Miftarit, njohës i fushës së sigurisë dhe ish agjent i SHIK-ut, menyra e vendosjes së gjykatësve dhe prokurorëve, atyre të pamerituar në pozita, bëhet në mënyrë të fshehtë, kurse të emëruarit e mbajnë me besnikëri në fshehtësi emërimin e tyre politik dhe nuk ua tregojnë të tjerëve.

“Problemi i rekomandimit në poste të larta të gjyqtarëve apo prokurorëve që nuk e kanë kryer pothuajse asnjë rast gjyqësor me sukses tregon qartë se këto urdhra vijnë nga instancat më të larta politike dhe shtetërore që janë po ashtu të korruptuara dhe janë vetëm duar të zgjatura të krimit të organizuar që kontrollon politikën dhe pushtetin. Rekomandimet dhe avancimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vijnë nga ndikimet e krimit të organizuar dhe fillojnë akoma pa u pranuar në këto vende pune, pasi nuk mund të jesh prokuror apo gjyqtar, e madje as rojtar shkolle nuk mund të jesh nëse nuk je i korruptuar”.

“Nëse nuk jep korrupsion apo nëse nuk je kukull e shefave të shefave, pra prokuror të Adem Grabovcave, Hashim Thaçave, Kadri Veselave etj., etj. Pra, avancimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhen për t’i shpërblyer për mbulesën dhe mbrojtjen ligjore që ua bëjnë njerëzve të krimit të organizuar, i cili fatkeqësisht ka gllabëruar politikën dhe institucionet e shtetit, sidomos organet e ligjit. Avancimet janë vetëm dhurata dhe mafisë politike që ua bëjnë gjyqtarëve dhe prokurorëve, shumica të korruptuar dhe kukulla të shefave”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”.