Alarmi për LDK-në, ja çfarë ndodhë nëse hyn në Qeveri me PDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila sipas tyre do ta udhëhiqte dialogun me Serbinë dhe Qeverinë deri në zgjedhjet e reja të parakohshme. LDK në këtë qeveri, nuk e përjashton as PDK-në të cilën e quan parti e cila e ka shkatërruar shtetin e Kosovës, dhe të cilën dikur e akuzonte për vrasjet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Poashtu, përfshirja e LDK-së në dialog, sipas analistëve shihet si ndihmesë për Thaçin, i cili së fundi largoi nga presidenca simbolet e presidentit Rugova.

E lidhur me kërkesën e LDK-së dhe qeverinë gjithëpërfshirëse, për “Kosova Sot”, ka folur analisti politik, Faik Krasniqi.

Ai thotë se LDK-ja nuk duhet të bëhet pjesë e koalicionit PAN, por të insistojë në zgjedhje dhe pas kësaj të formojë koalicion me VV-në në mënyrë që i ashtuquajturi klani “PRONTO” të mbetet në opozitë.

“LDK në asnjë mënyrë nuk bënë t’i bashkohet koalicionit PAN. Duhet bërë çmos që të shkohet në zgjedhje, dhe pas zgjedhjeve koalicioni VV-LDK do ta dërgonte klanin Pronto për shumë vite në opozitë”, u shpreh Faik Krasniqi.

Sipas tij, bashkimi i LDK-së në një anë me PDK-në do të ishte vetëvrasje politike, duke shtuar se elektorati nuk e harron edhe tradhtinë që iu bë në kohën kur ndihmuan Thaçin të zgjidhet president i vendit.

“Shumë prej tyre edhe në burg, dhe një pjesë në pension të përjetshëm. Nëse LDK bëhet pjesë e një koalicioni aty ku është edhe PDK, do të ishte vetëvrasje politike për këtë parti, sepse elektorati nuk e harron lehtë tradhtinë që bëri kur bënë koalicion në vitin 2014-të dhe Hashim Thaçin e votuan President”, shtoi analisti Krasniqi.

Lexo edhe: Ky është Afrim Zabeli, piloti i parë i FSK-së
Por bashkimin e LDK-së me PDK-në, Krasniqi nuk e sheh si befasues, pasi sipas tij që nga vdekja e ish-presidentit Rugova ata e kanë dëshmuar që janë parti e interesit dhe patericë e Thaçit.

“Në zgjedhjet e ardhshme do të pësonte debakël të thellë. Por nuk do të habitesha nëse LDK prapë futet në të ashtuquajturën Qeveri gjithëpërfshirëse për hir të “interesave të shtetit”, sepse kjo parti prej vdekjes së Presidentit Rugova na e kanë dëshmuar që janë parti e interesit dhe patericë e Hashim Thaçit!”, përfundoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.