Alarmi i rrezikshëm: Ky është skenari i Thaçit dhe Ramës për Kosovën

Edhe ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka goditur kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur “postier” të Serbisë si dhe duke akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po shkel në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovën.

E lidhur me këtë, analisti dhe publicisti, Ramiz Bojaj po ashtu thotë se hapja e bisedimeve për kufijtë e Kosovës është akti më i rëndë dhe ataku më i drejtpërdrejtë kundër shtetit tonë,kundër integritetit territorial dhe sovranitetit,sepse tani jo veç Hashim Thaçi,por edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,po del që është njeriu,i cili i hapi gropën Republikës së Kosovës.

“Duke aprovuar i pari idenë serbe për ndarjen e Kosovës, z.Rama shtriu ndikimin e tij tek presidenti Hashim Thaçi për të pranuar planin famëkeq të ndarjes së Kosovës,sipas modelit Daçiq-Vuçiq,’për një marrëveshje historike-ligjërisht të obligueshme’,si akt final i zhbërjes së Kosovës. Ish- negociatorja, znj.Edita Tahiri,me të drejtë e ka quajtur këtë iniciativë të vjetër serbe si plan të Slobodan Milosheviqit,të bartur edhe nga Gjingjiq, Tadiq, Daçiq, Vuçiq….për të përfunduar në duart e Hashim Thaçit, njeriut të parë shqiptar,i cili,që nga mbarimi i luftës, lirinë e Kosovës po e rikthen në robëri,paqen 20-vjeçare po e rikthen në konflikt primitiv ndëretnik e të paparashikueshëm,ndërsa shtetësinë,integritetin territorial e sovranitetin shtetëror po e hedh në greminë”,u shpreh ai.

Sipas Bojajt, edhe protesta në Serbi,protesta në Shqipëri,dhe Kosova në vlim,janë pasqyrë se të tre liderët,që udhëheqin idenë për ndarjen e Kosovës,janë njerëz jolegjitimë,me kriza të thella në pushtetet e tyre,të cilët duke u ngutur në një marrëveshje të përbashkët, mjaft të rrezikshme e të paparashikueshme,mëtojnë të shpëtojnë nga gropat e ngritura vetë.

“Ndërkaq, znj e BE-së, Frederika Mogherini është në fundin e mandatit të saj,dhe kërkon me çdo kusht të marrë kurorën e ‘mbretëreshës’ për një marrëveshje ‘historike’ Kosovë-Serbi. Znj.Mogherini,por edhe qendrat e tjera ndërkombëtare duhet të kuptojnë se me njerëz pa kredibilitet, pa legjitimitet e të komprometuar nuk mund të ketë marrëveshje fleksibile, e aq më pak marrëveshje historike Kosovë-Serbi,të cilat duhet kohë për të gjetur një formulë paqeje dhe ndarjeje nga e kaluara e përgjakshme. Hapin e parë drejt kësaj ‘pajtueshmërie’ duhet ta fillojë Serbia,duke kërkuar falje për krimet,masakrat e përdhunimet e saj që i ka bërë popullit shqiptar,të njohë pa kushte pavarësinë e Kosovës dhe të ndalë presionin dhe spastrimin etnik në Luginë. Serbia nuk ka dhënë sinjale pajtueshmërie me Kosovën. Në këtë kontekst, askush nga Kosova nuk mund t’i ofrojë njëanshëm pajtueshmëri Serbisë fqinje, përderisa kjo vazhdon të mbajë qëndrim armiqësor, tipik milosheviqian, ndaj popullit e shtetit të Kosovës”, potencoi Bojaj.

Sipas tij,më mirë është të ndalen liderët primitivë e kriminelët sot sesa të ngritën avionët për të parandaluar një konflikt të sigurt nesër.

(Kosova Sot)