Vazhdon drama Hashim Thaçi – Alma Lama: A e denoncoi ambasadorja presidentin në polici?

Alma Lama, e emëruara dhe e shkarkuara e Presidentit Thaçi, po refuzon të kthehet nga Ambasada e Kosovës në kryeqytetin italian. Ajo i ka kërkuar avokatit të Popullit ta çojë Thaçin në Gjykatën Kushtetuese. Ka zëra që thonë se ambasadorja e shkarkuar e ka denoncuar Thaçin në Itali për kërcënim. Lama tregon për Gazetën Express se çka po ndodh në misionin kryesor diplomatik të Kosovës në Itali.

Po vazhdon drama në Ambasadën e Kosovës në Romë të Italisë. Kanë kaluar muaj prej kur presidenti Thaçi vendosi ta largonte nga pozita e Ambasadores Alma Lamën, ndërsa ajo akoma nuk e ka dorëzuar detyrën.

Lama, e cili mori detyrën në vitin 2016, pasi Thaçi u votua president, ka refuzuar vendimin e tij për lirimin nga detyra.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes dhe e LDK’së, e numëron akoma vetën ambasadore të Kosovës dhe thotë se po e përfaqëson vendin, madje edhe presidentin në Romë.

Që prej se është dekretuar për ta përfaqësuar Kosovën në Itali, Lama është përfolur për relacionet e saj me Hashim Thaçin. Ajo u akuzua nga opozita e atëhershme dhe nga shoqëria civile se mori postin e ambasadorës në këmbim të votës që dha në shkurt të 2016’ës pro zgjedhjes së Thaçi president.

Burime të Gazetës Express kanë thënë se Alma Lama në Itali ka denoncuar presidentin Thaçi se po e kërcënon dhe se ajo nuk mund të kthehet në Kosovë.

Lama në një përgjigje për Expressin ka thënë se ka dëgjuar për këtë, por e konsideron një shpifje që po shpërndahet pa i ditur arsyet pse.

“Unë nuk jam në dijeni të një denoncimi të tillë. Bëhet fjalë për një shpifje që nuk e di nga gjenerohet dhe për çfarë arsye gjenerohet”, është shprehur Lama.

Edhe përkundër se Presidenti Thaçi ka nënshkruar në nëntor dekretin për shkarkimin e Lamës nga pozita e ambasadorës dhe kthimin e saj nga misioni, ish-deputetja e Vetëvendosjes dhe e LDK’së, thotë se ajo po vazhdon angazhimet e një ambasadoreje.

“Aktualisht unë jam përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Itali, sipas vendimeve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësoj presidentin, kryeministrin dhe të gjitha institucionet dhe popullin e Kosovës”, është shprehur Ambasadorja e shkarkuar.

“Unë deri ne dorëzim të detyrës po punoj për kultivimin e raporteve mes shtetit italian dhe Republikës se Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjen e Lamës.

Nga ana tjetër, ajo është ankuar te Avokati i Popullit për dekretin e Presidentit. Lama nuk po kthehet në Kosovë, ndërsa përmes avokatit të Popullit dëshiron ta dërgojë Presidentin Thaçi në Gjykatën Kushtetuese.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesë nga Alma Lama kundër Dekretit të Presidentit nr. DTD 016-2018.Lidhur me këtë rast znj. Lama ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Dekretin në fjalë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Zyra e Avokatit të Popullit për Gazetën Express.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë për Express se Lama mund të shfrytëzojë edhe disa muaj kohë deri në kthimin e saj në Kosovë. Gjithashtu kanë treguar se një kërkesë e tillë, në emër të Ambasadorës, e ka bërë institucioni i Avokatit të Popullit.

Ndërkaq, zyra e Avokatit thotë prej 11 dhjetorit po pret përgjigje nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli rreth shkarkimit të ambasadorës kosovare në Romë.

Bukurie Gjonbalaj është përmendur se do të zë vendin e Lamës, duke u rikthyer sërish në Romë.

Mirëpo Gjonbalaj në një përgjigje të shkurtër për Gazetën Express ka thënë se ajo nuk është ngarkuar me këtë detyrë./Express