LDK tregon se si do ta ndalte idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve nëse vjen në krye të qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur planin e saj se si do ta ndalte presidentin e vendit, Hashim Thaçi drejt realizimit të idesë së tij për korrigjim të kufijve në rast se do të vinte në krye të qeverisë, raporton Gazeta Blic.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj në Rtv Dukagjini ka thënë se LDK do të bazohet në dy pika kryesore, siç tha ai, për ta ndalur presidentin Thaçi.“Ne tashmë e kemi një president që udhëheqë dialogun pa kompetencat kushtetuese. Kjo është e para që LDK do ta ushtrojë. Mandatin e saj kushtetues ashtu siç e ka ushtruar edhe më parë. Kjo është edhe përgjegjësi jo vetëm morale por edhe politike”, tha Zemaj.

Sipas tij, mënyra e dytë sesi LDK do e pengonte presidentit drejt realizimit, siç tha ai, është konsensusi nacional.“Pjesa tjetër ndërlidhet rreth ndërtimit të konsensusit nacional sepse çështja e dialogut nuk është vetëm interes i një subjekti por interes nacional që Kosova të ndërtojë raporte fqinjësore me çdo shtet edhe në këtë rrafsh me Serbinë” tha ai.

Sipas tij kjo është e betonuar sa i përket edhe aspektit të brendshëm dhe kjo është mënyra sesi ne e shohim udhëheqjen e dialogut./Gazeta Blic