Serbia sërish kushtëzon Kosovën, ja çfarë ka bërë tani

Serbia vazhdon me kushtëzime ndaj Kosovës.

Serbia po e konsideron fitore të madhe mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën.

Në një paraqitje televizive për televizionin shtetëror, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq madje thotë se Kosova pësoi debakël në këtë mbledhje, transmeton lajmi.net.

“Për dy vitet e ardhshme, Kosova do të jetë temë diskutimi në OKB. Në mbledhjen e fundit të gjithë ishin njëzëri kundër taksës dhe formimit të Ushtrisë. Për Vlora Çitakun ishte surprizë e madhe kur dëgjuan se përfaqësuesit e SHBA-ve kërkojnë heqjen e menjëhershme të taksës”, ka thënë Daçiq.

Daçiq vazhdon tutje me pretendimet e tij duke thënë se për herë të parë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, asnjëra nga shtetet përkrahese të Kosovës nuk bëri thirrje tek vendet tjera për njohjen e pavarësisë.

Ai foli edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut, në qoftë se Qeveria e Kosovës nuk vendos për heqjen e taksës, për të cilën çështje tha se nuk ka gjasa të ndodhë.

“Presionet do të vazhdojnë, sepse Kosova nuk ka më çfarë të bëjë. Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun pa heqjen e taksës, kjo nuk është një kusht, është logjikë”, ka shtuar ai.

Theksojmë se tash e një kohë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një fazë ngecjeje pas taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia.