Deputetja e VV-së: Protestat do të jenë masive kundër Thaçit, sheshet e Prishtinës do jenë të vogla…

Deputetja e VV-së thekson se nuk ka tjetër mundësi për ta ndalur Thaçin, përveç protestave, duke e parë rrezikun se territori i Kosovës po falet pa pikë mëshire.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, shprehet se presidenti Thaçi i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales, andaj ajo konsideron se kjo situatë do të duhej ta zgjonte Prokurorinë e shtetit nga gjumi për të marrë masat ligjore.

“Hashim Thaçi i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales duke shkelur kushtetutën e vendit dhe duke e rrezikuar tërësinë territoriale dhe duke prekur sovranitetin e Kosovës. Kjo situatë do të duhej ta zgjonte Prokurorinë e shtetit nga gjumi për të marrë masat ligjore për të ndaluar ketë njeri. Megjithatë, Prokuroria është e pafuqishme për te vepruar për shkak të kapjes së saj pikërisht nga Thaçi”, ka thënë Millaku.

Deputetja e VV-së thekson se nuk ka tjetër mundësi për ta ndalur Thaçin, përveç protestave, duke e parë rrezikun se territori i Kosovës po falet pa pikë mëshire.

“Nuk shohë tjetër mundësi përveç protestave, duke e parë rrezikun se territori i Kosovës po falet pa pikë mëshire. Revolta popullore është shumë e madhe, andaj besoj se protestat do te jenë aq masive sa sheshet e Prishtinës do të jenë të vogla, unë mendoj se duhet një koordinim edhe më shqiptarët e tjerë jashtë kufijve të Kosovës, dhe me këto protesta do të marrë fund epoka e zezë e Hashim Thaçit”, ka theksuar deputetja e VV-së.

Krejt në fund Millaku potencon se është bërë domosdoshmëri emergjente largimi i presidentit Thaçi nga presidenca, por edhe nga politika. Ajo shton se është duke e parë fundin e Thaçit dhe atë shume shpejt, ndërsa paralajmëron se pranvera e këtij viti do të jetë shumë e nxehtë.