Avokati i policit të Drenasit kërkon një “masë të butë” ndaj klientit të tij

Sot është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit nga Drenasi, Vesel Veseli, i cili dyshohet për dhunim dhe ngacmim seksual ndaj të miturës po ashtu nga Drenasi, A.G. Avokati mbrojtës i Veselit, Bekim Kafexholli, në një prononcim për media ka thënë se arsyetimet të cilat ka dhënë Prokuroria nuk qëndrojnë dhe se duhet të shqyrtohet prapë.

Kafexholli ka thënë se prokuroria i ka dhënë pretendimet e veta ndërkaq ai si avokat mbrojtës i Veselit i ka kundërshtuar këto pretendime për shkak se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Sapo e përfunduam seancën dëgjimore, me kërkesë të prokurorit për caktimin e paraburgimit. Prokuroria i dha pretendimet e veta, ne si mbrojtje i dhamë kundërshtimet për shkak se nuk janë përmbushur kushtet ligjore lidhur me caktimin e paraburgimit. Më tepër nuk më lejon as kodi etik që të flas sepse është rasti për një të mitur”, ka thënë Kafexholli.

Ai tutje është shprehur se arsyetimet të cilat i ka dhënë prokuroria nuk qëndrojnë mbi bazën të cilën i ka dhënë dhe duhet të shqyrtohen prapë. Sipas tij, raportimet e bëra deri më tani për klientin e tij nuk qëndrojnë në raport me veprat për të cilat e kanë ngarkuar.

“Klienti im nuk ka të bëjë fare me veprat me të cilat ngarkohet. Konsideroj se duhet të lirohet me një masë më të butë ose me procedurë të rregullt. Kurrfarë dëshmie nuk ka, ka dëshmi vetëm mbi bazën e të dëmtuarës e cila e ka dhënë një deklaratë dhe asgjë më shumë”, është shprehur Kafexholli.

Vesel Veseli dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës A.G nga Drenasi.