HOXHAJ: PARTITË E VOGLA PËRFITUAN NGA KOALICIONI ME PDK-NË

Nga koalicioni PAN i krijuar në zgjedhjet e vitit 2017, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj po thotë se më së shumti kanë përfituar AAK-ja dhe Nisma.

Hoxhaj ka deklaruar se votuesit e PDK-së nuk janë mobilizuar sa duhet, pasi kandidati për kryeministër ka qenë nga një parti tjetër.

Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Hoxhaj ka bërë të ditur se në zgjedhjet tjera, kurdo që të mbahen, PDK-ja do të hyjë si e vetme.

“Mendoj se koalicioni PAN nuk i ka shkuar përshtati PDK-së. Më shumë kanë përfituar partitë e vogla sesa PDK-ja si parti e madhe dhe poashtu një fushatë zgjedhor ku kryetari nuk është kandidat për kryeministër nuk është mobilizues. Në zgjedhjet e ardhshme hyjmë si parti e vetme, me kandidatin për kryeministër, dhe të dalim të parët”, ka thënë Hoxhaj për Insajderin.

Nënkryetari i PDK-së e ka mohuar që lëkundja e kësaj partie në zgjedhjet e fundit, ka ardhur si rezultat i largimit të Thaçit.

Përkundër sondazheve të fundit që e vendosin si të dytën ose të tretën, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja aktualisht është parti e parë, duke lënë pas vetes LDK-në.

“PDK është parti e parë, por dallimi nuk është i madh. Dallimi mes neve dhe LDK-së gjithmonë ka qenë afër. Nëse zgjedhjet mbahen në 2018 ne do ta kemi numrin e njejtë të deputetëve si në 2014. Në 2017 kemi garuar si koalicion, dhe është parë që një koalicion me AAK dhe Nismën nuk prodhon vota në PDK”, deklaroi Hoxhaj.