“Çaji jeshil më shkatërroi mëlçinë”

Shumë shpesh dëgjojmë që të na thuhet për vetitë magjike të ushqimeve të caktuara. Kjo bën që shumë njerëz të fiksohen pas njërit prej tyre, çka sjell më shumë dëme nga sa imagjinohet, raporton BBC
Duhej të ishte një prej ditëve më të bukura të jetës së tij. Djali i tij po diplomohej, por Jim McCants kishte emocione të përziera. Teksa ishte ulur pranë të shoqes, Cathleen, në një auditor universiteti në Dallas, SHBA, ajo u kthye nga ai. “A je mirë? Fytyra jote është e verdhë, sytë po ashtu, dukesh shumë keq”.

Kur u kthye në pasqyrë, ai pa që dukej vërtet keq. Ishte shokuese pasi Jim, në atë kohë 50 vjeç, kishte punuar shumë për të përmirësuar stilin e jetesës, duke humbur peshë, duke u ushqyer shëndetshëm dhe duke bërë ushtrime rregullisht.
“Babai im vdiq nga një atak kardiak kur ishte 59 vjeç dhe unë isha i vendosur që të bëjë çfarë të ishte e mundur të mos kisha fatin e tij”.
Pas diplomimit të djalit, ai u shtrua në spital me dyshimin se kishte plagë në mëlçi.

Mjekët fillimisht përjashtuan si mundësi alkoolin, pasi ai nuk ka konsumuar prej vitesh. Edhe ilaçet dhe duhani u përjashtuan.
Pastaj mjeku e pyeti nëse merrte ndonjë suplement ushqyes.
Si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar stilin e jetës në mesomoshë, ai kishte nisur të merrte rregullisht suplemente të çajit jeshil, pasi kishte dëgjuar se kanë përfitime kardiake. Së fundmi këto suplemente janë bërë shumë popullore pasi mendohet se të ndihmojnë për të humbur peshë dhe për të parandaluar kancerin.
Ai kishte dy-tre muaj që i merrte këto suplemente. Por një nga mjekët i dha lajmin e tmerrshëm që duhej të bënte transplant mëlçie. “Brenda një jave mundësisht”.

Por çfarë bën që suplementet e çajit të jenë kaq të dëmshme? Shkencëtarët nuk e dinë me saktësi, pasi çaji është konsumuar prej mijëra vitesh.
“Nëse konsumon sasi modeste çaji jeshil, jeni shumë të sigurt,” thotë profesor Herbert Bonkovsky i qendrës për shërbimet e mëlçisë në Karolinën e Veriut.

“Rreziku vjen kur merr sasi të mëdha në formë të koncentruar”.
Shqetësimi shtohet pasi mendohet se çaji ka një përbërës toksis të quajtur EGCG, që gjendet në sasi të mëdha tek antioksidantët, që thuhet se luftojnë plakjen dhe kanë potencial mjekësor fantastik.
Transplanti i mëlçisë i shpëtoi jetën, por Jim duhet të jetojë me dhimbje kronike dhe dializa e kontrolle të shpeshta tek mjeku.