Thaçi për incidentin e vëllait: Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka reaguar lidhur me incidentin e vëllait të tij, Gani Thaçit.

Përmes një statusi në Facebook, Presidenti tha se të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd.

Më poshtë statusi i plotë i tij:

Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë. HTH

Gani Thaçi, ka sulmuar sot fizikisht në Byronë Kosovare të Sigurimeve dy persona.

Klan Kosova ka marrë vesh nga burimet e saja se të sulmuarit janë Shefi i Byrosë, Blerim Pushkolli dhe një zyrtar i një kompanie të sigurimeve në Kosovë.