Çfarë kishte deklaruar Dardan Molliqaj për vdekjen e Astrit Deharit?

Ish-sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj, i cili njëhërit është deputet i Kuvendit të Kosovës, është akuzuar nga anëtari i VV-së, Valdrin Ahmeti për cilësimin e vdekjes së ish-anëtarit të po këtij subjekti politik, Astrit Dehari si vetëvrasje.

Ahmeti, madje ka thënë se Molliqaj ka tentuar t’i ndalonte anëtarët e VV-së të flasin për Astritin si i vrarë sepse sipas tij, ai prej fillimit ishte i bindur që ai kishte bërë vetëvrasje.

Pretendimi i tij ishte kundër mendimeve tona, por edhe kundër logjikës së thjeshtë. Në rrethanat si vdiq Astriti, fillimisht dyshohet e hetohet për vrasje, e nëse kjo nuk vërtetohet shihen opsionet e tjera. A nëse prej fillimit ky paska qenë i bindur për vetëvrasje, opsioni i vrasjes mbetet i pahetuar”, ka deklaruar Ahmeti në një postim në profilin e tij në rrjetin shoqëror “Facebook”, ngjare e cila tregon të ketë ndodhur më 26 nëntor të vitit 2016.

Anëtar i VV-së, Valdrin Ahmeti

Ndërkohë “Gazeta Blic” ka sigurar disa prej deklaratave të Molliqajt, lidhur me vdekjen ende të pasqaruar të ish-anëtarit të VV-së Dehari.

Ish-sekretari Organizativ i VV-së, në një konferencë për media kishte listuar disa fakte, që sipas tij dëshmojnë se pse sistemi gjyqësor në Kosovë është i korruptuar dhe pse nuk duhet besuar në rastin e Deharit.

“Familja e Deharit paraqesin kërkesë: Nuk jemi të pajtimit që asnjë minutë, ky sistem i kapur t’i vazhdojë hetimet për rastin Dehari. Ne kërkojmë që hetimet për këtë rast nga ky grup dhe institucionet të ndalen menjëherë. Jo hetues ndërkombëtarë që i sjellë Klani Pronto, por hetues të pavarur që i sjellë familja, gjë që iu garantohet me ligj”, ka thënë Molliqaj, pasi paraqiti një prezantim përmes projektorit duke treguar pse nuk duan të ketë investigim nga institucionet kosovare.

Sipas Molliqajt prej të gjitha shkresave dhe prej të gjithave prova që janë mbledhur nga Prokuroria, Policia nuk ka pasur asgjë që ka inkriminuar Astrit Deharin për rastin e sulmit në Kuvendin e Kosovës.

Molliqaj, po ashtu ishte deklaruar edhe lidhur me afërsinë e tij me të ndjerin Dehari.

Ai ka treguar se gjatë kohës sa ka qenë në arrati, si  i kërkuar pas protestave, ishte ndihmuar shumë nga Astrit Dehari.

Ka qenë lidhja e madhe me Astritin. Ai ishte  personi i vetëm që ka ditur gjithçka rreth meje sa isha në arrati. Astriti më ka sjellur ushqimi, ka mbajtur kontakt, ka qenë ndërmjetës për të komunikuar me të tjerët.  I vetmi që gjatë gjithë kohës e ka ditur se ku jam“, ka thënë Molliqaj në ‘Personale’ të RTV Dukagjinit.

Tutje Molliqaj ka treguar se Astrit Dehari ka qenë njeri shumë i besueshëm i Vetëvendosjes.

Kemi pasur raste që kemi diskutuar me orë të tëra për cëshje politike, idelogjike e familjare. E kam njohur shumë mirë“, ka thënë Molliqaj.

Ai tregon se nuk ka pasur asnjë shenjë për ndonjë problem shëndetësor apo diçka të tillë, siç është përfolur nëpër media.

Ka qenë i matur dhe i qetë si person” e ka përshkruar Molliqaj Astrit Deharin.

Lëvizja Vetëvendosje së fundi është përballur me një numër të konsiderueshme të dorëheqjeve.

Deri më tani, Lëvizjes Vetëvendosje nga kryesia i janë larguar 7 deputetë.

Vetëvendosje është themeluar si organizatë politike në vitin 2004.