Donald Trump i shkruan letër Ramush Haradinajt

Para dy ditësh u konfirmua se kryeministri i Kosovës nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit pasi shteti amerikan nuk i dha vizë, por sot Haradinaj ka pranuar dy letra nga ky shtet.

Sipas njoftimit që e ka bërë vetë ai, Haradinajt i kanë dërguar letër presidenti Donald Trump dhe sekretari i Departamentit të shtetit, Rex Tillerson, shkruan gazetametro.net.

‘Sot, pata nderin e veçantë të pranoj urim për festat e fundvitit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky urim është edhe një konfirmim i miqësisë së përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, po ashtu, kam pranuar telegram nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në të cilin, ai më falënderon për mbështetjen personale, por edhe institucionale të shtetit të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit’, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.


Ndërkaq, këto letra ai i ka cilësuar si konfirmim i miqësisë së Amerikës me Kosovën, duke thënë se Qeveria dhe populli i Kosovës do të jenë çdoherë krahë Amerikës.

Ndryshe, ditëve të fundit Haradinaj u kritikua se po punon kundër interesave të Amerikës me kundërshtimin e Demarkacionit dhe nismën për rrëzimin e Speciales.