TALLJA E DEPUTETIT TË VETËVENDOSJES ME FISNIK ISMAILIN(FOTO)

Deputeti Dukagjin Gorani është tallur me bindjet politike të kolegut të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, në një komunikim privat me një aktivist tjetër të VV-së, tregojnë disa biseda të anëtarëve të kësaj partie që kanë rrjedhur në publik.

Në një bashkëbisedim të Goranit me një aktivist të paidentifikuar të Lëvizjes, deputeti i VV-së shprehet skeptik rreth bindjeve politike të deputetit Ismaili.

Gorani thotë se kolegu i tij partiak “nuk ka haber” rreth politikave të majta që ndjek Lëvizja Vetëvendosje.

“…zyrtarët e LV kanë haber se çka është e majta progresive dhe socialdemokracia? Vërtet mendon se të gjithë janë të lexuar si Albini?… Mos të lutem…”, i shkruan Gorani aktivistit të VV-së me të cilin po bisedonte në rrjetin social Facebook.

Para disa ditësh, deputeti Fisnik Ismaili akuzoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje se po fyejnë e linçojnë anëtarët e partisë.

Ismaili i krahasoi disa nga aktivistët e VV-së me “njerëzit e SHIK-ut”.