S’ka liberalizim të vizave, qeveria Haradinaj shuan shpresat e qytetarëve

“Një pjesë e madhe e pushtetarëve të sotëm nuk e qajnë hallin për qytetarin fare, pos për interesat e tyre personale, grupore e klanore. Prandaj, qytetari duhet të vetëdijesohet, të vendosi gishtin në kokë, dhe të mendohet mirë se kujt po ia japë votën”, përfundoi Bajram Gecaj .

Edhe viti 2018 i ka zënë qytetarët e Kosovës të izoluar, duke mos mundur të udhëtojnë lirshëm për në Evropë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte shfaqur bindjet e tij se qysh në tre mujorin e parë do të ketë liberalizim të vizave. Por, kanë kaluar 116 ditë që nga formimi i institucioneve dhe kemi hyrë në vitin 2018, e liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ende nuk ka ndodhur.

Opozita dhe analistët mendojnë se me Qeverinë Haradinaj nuk do të këtë liberalizim vizash edhe për një kohë të gjatë. Ndërsa sipas pozitës, Evropa dhe kushtet e saja janë fajtore për këto procese të stërzgjatura.

Bajram Gecaj: Qytetari duhet të mendojë se kënd po e voton

Anëtari i Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë Qeveri nuk do të ketë liberalizim vizash edhe për një kohë të gjatë.

“Me këtë Qeveri nuk do të këtë liberalizim vizash edhe për një kohë të gjatë. Madje-madje, për shkak të këtyre njerëzve edhe Qeveria e ardhshme, ashtu si ajo paraprake, do të kenë probleme për të liberalizuar vizat”, u shpreh ai.

Sipas Gecajt, qytetari duhet të vetëdijesohet në të ardhmen dhe të mendojë se kënd po e voton.

“Një pjesë e madhe e pushtetarëve të sotëm nuk e qajnë hallin për qytetarin fare, pos për interesat e tyre personale, grupore e klanore. Prandaj, qytetari duhet të vetëdijesohet, të vendosi gishtin në kokë, dhe të mendohet mirë se kujt po ia japë votën”, përfundoi Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Haxhi Shala: Qytetarët e Kosovës padrejtësisht në geto nga Evropa

Deputeti i Nisma për Kosovën, Haxhi Shala për gazetën “Bota sot” , ka deklaruar se qytetarët e Kosovës padrejtësisht janë duke u mbajtur në geto nga Evropa, dhe më se paku nga veprimet e lidershipit të Kosovës.

“Konsiderojë se qytetarët e Kosovës padrejtësisht janë duke u mbajtur në geto nga Evropa, dhe më së paku nga veprimet e lidershipit të Kosovës. Kur them këtë, mendojë çdo herë krahas kushtit të fundit për përcaktimin e vijës kufitare midis dy vendeve, si një prej kushteve për vazhdimin e udhëtimit drejt BE-së”, është shprehur Shala.

Deputeti nga radhët e Nismës, potencon se në këtë drejtim duhet një angazhim më i madh dhe pa afate kohore.

Shala gjithashtu thekson se duhet punuar me një dinamikë më të shpejt në përmbushjen e detyrave, karshi këtij procesi tejet të zgjatur.

“Gjithsesi, duke përfunduar këtë vlerësim, konstatojë se qytetarët e Kosovës meritojnë të udhëtojnë sa më parë që të jetë e mundur dhe kjo mundësi nuk do jetë peng i veprimeve tona, pa dashur të lëshohem në afate kohore. Kujtojë se ky proces ngërthen në vete një procedurë burokratike, deri në vendimin final. Gjithsesi, ne si të zgjedhurit e popullit, sikurse edhe jemi të thirrur duhet të angazhohemi pa afate kohore, por me një dinamik sa më të shpejt të përmbushjes së detyrat tona që na takojnë, karshi këtij procesi tejet të zgjatur dhe të pamerituar për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Haxhi Shala.

“S’ka liberalizim, pa u përmbushur kriteret e BE-së”

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani ka thënë se është skeptik në lidhje me liberalizimin e vizave.

Ai në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se vështirë se do të ndodh liberalizimi i vizave, pa u përmbushur kriteret e BE-së.

“Vështirë se do të ndodh liberalizimi i vizave, nëse nuk përmbushen kriteret e BE-së. Në gjashtë mujorin e parë janë procedurat që duhet të përmbarohen nga BE-ja, përderisa ende nuk shohë asnjë zhvillim signifikant në këtë drejtim, vetëm ngritje zëri se duhet bërë një marrëveshje të re me Malin e Zi”, u shpreh Burjani.

Krejt në fund, Burjani mendon se Qeveria Haradinaj është kalimtare dhe se fati i saj do të varet nga Demarkacioni me Malin e Zi.

“Ka shumë frustrime në këtë drejtim, kur dihet se po vazhdon edhe më tej beteja e ngërçit politik. Kjo Qeveri është kalimtare fati i saj varët nëse kalon Demarkacioni dhe disa tema tjera në Kuvendin e Kosovës. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, Kosova sërish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Burjani.

Kujtojmë se përveç liberalizimit të vizave edhe Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe dialogu me Serbinë, janë çështjet me të cilat Qeveria Haradinaj do të sfidohet gjatë vitit 2018.