‘Po thuhet që edhe Shpend Ahmeti është kundër Albin Kurtit ‘

Analisti politik, Donik Sallova, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje që kanë spikatur me dorëheqjen e Visar Ymerit nga kreu i partisë.
Sipas Sallovës, Ymeri si kryetar LVV-së ishte bërë më mbështetjen e Albin Kurtit, dhe në momentin që nuk u mbështet nga ai, e ka deklaruar dorëhqjen.

Në një postim në profilin e tij, Sallova ka folur edhe për veprimet e Dardan Molliqajt, si dhe gjithashtu edhe për pozicionimin e Shpend Ahmetit, pas zhvillimeve të shumta që po ndodhin brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij është e çuditshme nëse Shpend Ahmeti do të pozicionohej në krahun e Molliqjat.
“Po thuhet që edhe Shpend Ahmeti është kundër Albin Kurtit, pra është në krah me Dardan Molliqajn? Do të ishte çudi! Në vitin 2013 VV-ja e fitoi Prishtinën pa dyshim në saje të identitetit jo shumë “vetëvendosës” të Shpend Ahmetit” ka shkruar Sallova,

Shkrimi i plotë

Mbi luftën për pushtet në Vetëvendosje

1. Se Visar Ymeri është zgjedhur dhe ka qëndruar në krye të Vetëvendosjes duke u mbështetur tek Albin Kurti e dëshmoi edhe vet motivacioni i dorëheqjes së tij. Ymeri tha se jep dorëheqje sepse nuk po respektohet nga një krah në VV, dmth nga krahu shumicë, nga krahu i madh, se po të mos respektohej vetëm nga ndonje krah pakicë dorëheqja e tij s’do të kishte kuptim.

Pra, pa Albinin, Visar Ymeri as nuk do të zgjedhej kryetar i VV atëherë, e pa Albinin as nuk mundi të qëndroj në krye të VV-së tash. Visari këtë e ka ditur që në ditën kur është zgjedhur kryetar, madje ai e ka ditur edhe pse po zgjedhet kryetar i VV-së, por ose mund ta ketë harruar ndërkohë ose ka filluar t’i pëlqejë pozita e kryetarit, e cila pozitë, dorën në zemer, nuk ia ka përmirësuar as batutat që i tregonte nëpër tubime zgjedhore e lëre më ta ketë përmirsuar performancën politike të VV-së siç po pretendon (pavarësisht meritave si aktivist i rëndësishëm i VV-së).

2. Dardan Molliqajn nuk e paskemi njohur kurrë! Publiku gjithnjë e ka përceptuar si radikal, si ekstremist, si kryemilitaristin e VV-së, duke e ilustruar këtë gjë me atë skenën e nxjerrjes nga makina të një zyrtari shtetëror gjatë protestave etj. Por jo. Në emisionet televizive që e pamë, Molliqaj doli të jetë Reformatori e Albini (sipas tij) Fundamentalisti.

Apo Molliqaj e mori këtë pozicion liberal-FER-ist, pasi e pa disa ditë radhazi revoltën e antarësisë dhe votuesve ndaj gjuhës denigrues të Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit në bisedën e presupozuar private Molliqaj-Dërguti?

3. Po thuhet që edhe Shpend Ahmeti është kundër Albin Kurtit, pra është në krah me Dardan Molliqajn? Do të ishte çudi! Në vitin 2013 VV-ja e fitoi Prishtinën pa dyshim në saje të identitetit joshumë “vetëvendosës” të Shpend Ahmetit. Pra votuesi i atëhershëm i Prishtinës vendosi për “joautentikun” e VV (Shpend Ahmetin) kundrejt arrogantit të konsumuar të LDK-së (Isa Mustafa).

Ndërkaq në 2017 situata ishte ndryshe, sepse kësaj radhe fitoi Shpend Ahmeti i identifikuar thelbësisht me VV-në dhe i mbështetur organizativisht fuqishëm nga antarësia e VV-së. Shikoni reagimet dhe statuset e 4 viteve të fundit të Shpendit dhe do të shihni se në shumë raste ai ka qenë shumë herë më “radikal” në qëndrime se sa vet “radikalët e mirënjohur” të VV-së.

Kështu Shpendi e fitoi mbështetjen e parezervë të të gjithë anëtarëve dhe “militantëve” të VV-së, duke dëshmuar kështu se Shpend Ahmeti nuk është një “Ilir Dedë”! Pyteni Shpend Ahmetin nëse do të mund ta fitonte Prishtinën po që se “biseda private Molliqaj-Dërguti” do të ndodhte qoftë edhe 1 ditë para balotazhit?!

Dhe në fund, kur jemi tek raporti potencial bashkërendues Ahmeti-Molliqaj, a nuk thuhet se është pikërisht Dardan Molliqaj ai që kishte qenë kundër propozimit të partive të VLAN-it që Shpend Ahmeti të ishte kandidati i përbashkët për kryeministër i këtij koalicioni?

4. Prandaj, dorëheqja e Visar Ymerit dhe dorëheqjet e “grupit të Viberit” më shumë se parimore, duket se janë paknaqësi të dështimit të planeve për ta marrë udhëheqjen e VV-së, kësaj radhe jo vetëm nën administrim, siç e kishte Visar Ymeri, por nën diktat për “reformim Molliqian” drejt pushtetit!