Thaçi ngushton Batonin: Si shkruat në gazetë, se sulmi i UÇK’së, ishte konflikt në mes të Milosevicit dhe Sheshejlit?

Në intervistën që presidenti Hashim Thaçi i ka bërë Baton Haxhiut, duke ndërruar rolet në emisionin Zona B, ishte edhe një pyetje që e bëri të ngushtohet autorin e këtij emisioni.

Thaçi e pyeti Haxhiun, se si në vitin 1992, në gazetën Zëri, kishin shkruar një tekst bashkë me gazetarin Haqif Mulliqi, për një sulm që UÇK kishte bërë ndaj forcave serbe në Drenas, duke e paraqitur atë si konflikt në mes të njerëzve të Milosevicit dhe Sheshejlit.

Thaçi i tha Haxhiut se ai tekst ishte bërë në formë, sikur të dukej një skenar filmi, i tëri imagjinar, pasi e vërteta ishte krejt ndryshe, përcjell gazetametro.net.

Haxhiu, i zënë pak ngushtë për këtë, tha se ‘dorën në zemër, teksti kryesisht ishte shkruar nga Haqif Mulliqi, pasi ai kishte më shumë informacione”.

Ai duke u përgjigjur në këtë pyetje, e arsyetoi atë tekst, edhe me faktin, se askush në vitin 1992, nuk mund të imagjinonte, e lë më të besonte, se ekziston një forcë ushtarake shqiptare në Kosovë, si UÇK.

Haxhiu, e pranon, se i tëri ai tekst ishte i ndërtuar mbi rrëfime konspirative, se sulmi nuk ishte kryer nga forca ushtarake të organizuara shqiptare, por një konflikt në mes të militarëve të dy politikanëve më të fortë në atë kohë në Serbi, Slobodan Milosevic dhe Vojislav Sheshejl.