Paralajmerimi i Daut Haradinajt per UQK-ne!

Instrumenti i UÇK-së do të riaktualizohet në Kosovë në momentin që nisin arrestimet nga Gjykata Speciale”, ka thënë Daut Haradinaj. Menjëherë pasuan reagimet ndërkombëtare

Një deklaratë që ka lëshuar një dit më parë deputeti i AAK-së dhe njëherësh vëllai i kryeministri Ramush Haradinaj, se do të ringjallet UÇK pas arrestimeve nga Gjykata Speciale, ka ngjallur reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ambasada Amerikane këto deklarata i ka quajtur tendencioze dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që të distancohet.

Daut Haradinaj ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në javën e kaluar nuk ka qenë punë korridoresh se ajo nuk mund të thuhet se ka qenë konspirative. Ai ka thënë se partitë politikë në vend është dashur të mendojnë në vitin 2015 dhe të mos e votojnë Specialen dhe se tash nuk ka arsye që dikush të jetë i frikuar.

Haradinaj më tej ka thënë se nuk do të ndjehej mirë nëse ndonjëri prej bashkëluftëtarëve të tij arrestohet nga kjo gjykatë. “Instrumenti i UÇK-së do të riaktualizohet në Kosovë në momentin që nisin arrestimet nga Gjykata Speciale”, ka thënë Haradinaj, i cili në kohën e luftës ka qenë komandat i një brigade të UÇK-së, ndërsa pas luftës është dekoruar me gradën e gjeneralmajorit.

“Nuk jam krah lufte, jam qytetar i këtij vendi. Virtyti më i madh i imi është lufta. Jam i hapur dhe gjithmonë gati t’i përkrah bashkëluftëtarët. UÇK nuk ka bërë krime, krime ka bërë Serbia dhe jo Millosheviqi”, ka shtuar Haradinaj, sipas të cilit, “Gjykata Speciale duhet parë si element që do ta dëmtojë imazhin e Kosovës”.

“Nuk e kam problem, pesë parë s’i jap. Krejt jetën e kam përpara. Kam humbur mbi 300 bashkëluftëtarë dhe nuk e kam hall personal”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarata ka pasur një reagim i Ambasadës Amerikane e cila apostrofon reagimin e Haradinajt.

“…udhëheqësit e Kosovës e kanë gabim kur thonë se iniciativa lidhur me Gjykatën Speciale e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do t’i dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës…kërcënimet me dhunë janë tërësisht të papranueshme dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria”, thuhet në reagim.

Ambasada thotë se është shumë e dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale.